08-10-2025
Agjencia Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) ju njofton se, në kuadër të reformës së sistemit farmaceutik dhe zhvillimit të moduleve të reja të sistemit “Barnatari”, do të ndërmerren hapat administrativë për shfuqizimin dhe lëshimin e certifikatave të reja për produktet medicinale që përmbajnë më shumë se një paketim në të njëjtën certifikatë. Ky proces është i domosdoshëm për: • harmonizimin e certifikatave me autorizimet për marketing; • funksionalizimin e plotë të sistemit të monitorimit dhe gjurmimit të barnave (“Track & Trace”); • deklarimin e çmimeve të produkteve medicinale sipas legjislacionit në fuqi. Çfarë do të ndërmerret: 1. Certifikatat ekzistuese që përmbajnë më shumë se një paketim do të shfuqizohen me vendim. 2. Për secilin paketim individual të autorizuar do të lëshohet një certifikatë e re me numër reference të veçantë, e cila ruan të njëjtin afat vlefshmërie si certifikata e shfuqizuar. 3. Lista e certifikatave të shfuqizuara dhe e certifikatave të reja do të publikohet në faqen zyrtare të AKPPM-së.